Shpërblimi i dëmit pasuror përbëhet nga humbja e pësuar nga dëmi dhe të ardhurat që do të përfitoheshin në rast se dëmi nuk do të kishte ndodhur.

Shpërblehen gjithashtu shpenzimet e kryera në mënyrë të arsyeshme për të shmangur ose pakësuar dëmin, për të përcaktuar përgjegjësinë dhe masën e dëmit, si dhe për të siguruar shpërblimin në rrugë jashtëgjyqësore.

Dëmi jo pasuror përfshin dëmin biologjik, dëmin moral dhe dëmin ekzistencial.

Dëmi biologjik përbën në thelb cënimin e së mirës së shëndetit, të integritetit fizik dhe/ose psikik të njeriut dhe që ka një ndikim negative në aktivitetin jetësor të përditshëm, në aspektin dinamik dhe ndërpersonal të jetës së palës së dëmtuar, pavarësisht kthimit të mundshëm të kapacitetit të tij për të siguruar të ardhura.

Dëmi moral është shfaqje e brendshme e turbullimit të gjendjes shpirtërore të njeriut, dhimbje e vuajtje shpirtërore individuale dhe e familjarëve të të dëmtuarit.

Dëmi ekzistencial është cenimi i të drejtave të personalitetit të njeriut duke dëmtuar në mënyrë të përhershme shprehjen e të dëmtuarit si njeri, ose të familjarëve të tij në botën e jashtme, duke tronditur objektivisht jetën e përditshme dhe veprimtarinë e zakonshme të tij, si në cilësinë e jetës, ashtu dhe në marrëdhëniet personale dhe familjare.

Dëmin moral dhe dëmin ekzistencial nga vdekja, paaftësia e pjesshme e përhershme apo paaftësia totale e përhershme e përfitojnë personi i dëmtuar dhe/ose familjarët e personit të dëmtuar.

Neni 640

Dëmi pasuror që shpërblehet përbëhet nga humbja e pësuar dhe fitimi i munguar. Shpërblehen gjithashtu shpenzimet e kryera në mënyrë të arsyeshme për të shmangur ose pakësuar dëmin, ato që kanë qenë të nevojshme për të përcaktuar përgjegjësinë dhe masën e dëmit, si dhe shpenzimet e arsyeshme të kryera për të siguruar shpërblimin në rrugë jashtëgjyqësore.

Neni 641

Personi që i ka shkaktuar tjetrit një dëm në shëndetin e tij, detyrohet ta shpërblejë dëmin, duke patur parasysh humbjen ose pakësimin e aftësisë për punë të të dëmtuarit, shpenzimet që janë bërë për mjekimin e tij, si dhe shpenzime të tjera që kanë lidhje me dëmin e shkaktuar. 175

Neni 642

Masa e shpërblimit të dëmit mund të ndryshojë në të ardhmen, në varësi të përmirësimit apo rëndimit të shëndetit ose të shtimit apo pakësimit të aftësisë për punë të të dëmtuarit, në krahasim me kohën e caktimit të shpërblimit dhe të ndryshimeve që mund të ketë pësuar paga e të dëmtuarit.

Neni 643

Kur është shkaktuar vdekja e një personi, dëmi që duhet të shpërblejë përbëhet nga: a) shpenzimet për ushqim e jetesë të fëmijëve të tij të mitur, të bashkëshortes dhe prindërve të paaftë për punë që kanë qenë në ngarkim të të vdekurit, plotësisht ose pjesërisht, si dhe të personave që banonin në familjen e të vdekurit dhe që gëzonin prej tij të drejtën e ushqimit; b) shpenzimet e duhura për varrimin e të vdekurit, në masën që ato i përgjigjen rrethanave personale e familjare të të vdekurit. Personi që ka shkaktuar dëmin mund të kundrejtojë të njëjtat mjete mbrojtëse që do t’i kundrejtonte të vdekurit. Gjykata, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat e çështjes, mund të vendosë që shpërblimi të jepet në natyrë, ose në para, njëherësh ose me këste.

Neni 644

Kur personi që ka kryer veprimin apo mosveprimin e paligjshëm krahas dëmit të shkaktuar, ka patur edhe një përfitim të dukshëm, gjykata me kërkesën e palës së dëmtuar duke pasur parasysh natyrën e dëmit, shkallën e fajësisë e rrethana të tjera të çështjes mund të llogarisë në shpërblimin e dëmit, tërësisht apo pjesërisht përfitimin.

Neni 645

Kur shkaktohet vdekja ose dëmtimi i shëndetit të një personi që fiton nga sigurimet shoqërore, dëmi shpërblehet në mënyrën e caktuar me ligj. 176

Neni 646

 Për një person që nuk ka qenë në marrëdhënie pune ose nuk ka qenë i siguruar, masa e shpërblimit të dëmit të rrjedhur nga vdekja ose dëmtimi i shëndetit, caktohet nga gjykata në bazë të pagës që merr një punonjës i asaj kategorie me të cilën mund të barazohet edhe puna që kryente ose mund të kryente i dëmtuari.

Neni 647

I mituri i dëmtuar, kur mbush moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe nuk ka pagë nga puna e tij, ka të drejtë që në vend të shpërblimit që merr për jetesë, të kërkojë të shpërblehet për humbjen e aftësisë së tij për punë me pagën mesatare të një punonjësi, sipas kritereve të nenit 646 të këtij Kodi. Me mbushjen e moshës tetëmbëdhjetë vjeç ka të drejtë që në vend të shpërblimit që merr, të kërkojë të shpërblehet me pagën mesatare të një punëtori të asaj kategorie që do të kishte fituar ose duhej të kishte fituar po të mos ishte shkaktuar dëmtimi i shëndetit.

Neni 647/a

Mënyra dhe kriteret e caktimit të përgjegjësisë civile dhe të masës së dëmit jopasuror (Shtuar me ligjin nr. 17/2012, datë 16.2.2012) Shpërblimi i dëmit jopasuror për cenimin e nderit, personalitetit ose reputacionit të personit, synon rivendosjen e të drejtës së shkelur, në mënyrë proporcionale me dëmin e pësuar dhe caktohet në bazë të rrethanave të çështjes. Për përcaktimin e përgjegjësisë civile dhe masës së dëmit jopasuror, gjykata mban parasysh edhe: a) mënyrën, formën dhe kohën e përhapjes së thënieve apo kryerjes së veprimeve; b) shkallën e respektimit të rregullave të etikës profesionale nga autori i thënieve; c) format dhe shkallën e fajësisë; ç) faktin nëse thëniet kanë cituar apo referuar në mënyrë të saktë thëniet e një personi të tretë; 177 d) faktin nëse thëniet janë të rreme, veçanërisht në rastin e cenimit të reputacionit; dh) faktin nëse thëniet kanë të bëjnë me çështje të jetës private të personit të dëmtuar dhe raportin e tyre me një interes publik; e) faktin nëse thëniet përbëjnë opinione ose thënie që përmbajnë vetëm pasaktësi faktike të parëndësishme; ë) faktin nëse thëniet kanë lidhje me çështje me interes publik, ose me persona në funksione shtetërore a kandidatë për zgjedhje; f) kryerjen e veprimeve për të parandaluar apo ulur masën e dëmit të tilla si bërja e përgënjeshtrimit për thënien e rreme, si dhe çdo masë tjetër të marrë nga autori i thënieve për vënien në vend të nderit, personalitetit ose reputacionit të personit të dëmtuar; g) faktin nëse autori i thënieve të rreme ka nxjerrë përfitime nga përhapja e tyre, si dhe masën e këtij përfitimi; gj) faktin nëse dëmshpërblimi mund të rëndojë ndjeshëm gjendjen financiare të shkaktuesit të dëmit.